“6 policë kundër djalit tim” Nëna e Klevi Metajt thyen heshtjen pas arrestimit, prek zemrat e gjithë njerëzve

Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet seanca për 22 personat e ndaluar gjatë ditës së parë të protestës. Jashtë presin familjarët, mes tyre gazetarja Brikena Metaj, nëna e studentit Klevi Metaj.

“Unë e kam marrë vesh rastësisht, bashkë me bashkëshortin, nga një telefonatë nga një shoqe e gjimnazit të Klevit, që e pa tek News24. Ajo më telefonoi dhe më tha se Klevi është përleshur me policinë dhe është arrestuar. Ishte lajm i tmerrshëm”, tregoi ajo.

Familja mendonte se Klevi po pushonte në shtëpi, pasi punon natën dhe studion ditën. Për ndërhyrjen e policisë, Metaj deklaroi: “Nuk e di nëse ishte protestues. Nëse një person shkel ligjin, duhet ta shoqërojnë në mënyrë normale. Askush s’mund ta prekë një person. Klevi po ecte në trotuar, polici erdhi pas krahëve dhe e ofendoi, e reagimi ka qenë instinktiv”.

Ajo tha se kishte arritur ta takonte të birin pas ndalimit dhe kujtoi se vetëm një javë më parë kishte marrë pjesë në diplomimin e fëmijëve të saj binjakë.

“Shpresoj shumë që të mbarojë mirë e gjitha kjo. E rëndësishme është që të mbarojë mirë”, përfundoi gazetarja.