Me 1 milion euro për 700 faqe raport, Rama bën gati shkrirjen e SPAK-ut, pse u perplas me Dumanin

Me 1 milion euro për 700 faqe raport, mazhoranca paralajmëron ndërhyrje ligjore për të “riformatuar” drejtësinë e re. Objektivi i heshtur: kapja ose shkrirja e SPAK…

Me një konferencë për mediat, Fatmir Xhafaj deklaroi mbylljen e komisionit parlamentar “Për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit”, por konfirmoi hapur se mazhoranca nuk ka hequr dorë nga qëllimi për të ushtruar presion e kontroll mbi SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë së re.

Sipas Xhafajt, komisioni i drejtuar prej tij ka evidentuar probleme shqetësuese në statusin, pavarësinë, detyrimet dhe funksionimin ligjor e praktik të strukturës së posaçme antikorrupsion, të cilat do t’ia adresojë parlamentit për të ndërhyrë në ligj.

Por për kompetencat dhe pavarësinë e SPAK, i vetmi referim është Kushtetuta, e cila ka një aneks të veçantë për këtë strukturë. Deklarata e Xhafajt tregon se mazhoranca synon ndryshimin e këtij kuadri, jo për ta forcuar SPAK-un, por për ta dobësuar, kapur ose shkrirë, me justifikimin se misioni i tij është përmbushur.

Raporti anti-SPAK “Xhafaj” ka 700 faqe dhe kostoja e hartimit të tij është 1 milion euro, rreth 1430 euro për faqe. Nga kjo shumë, 500 mijë euro u paguan për ekspertët e caktuar nga vetë Xhafaj dhe 500 mijë euro për shpenzime të tjera: ndihmës, materiale, honorare etj.

Por përtej shifrave, shqetësimi më serioz është deklarata e Xhafajt se megjithëse komisioni u mbyll, plani i mazhorancës për të vendosur nën kontroll SPAK-un vazhdon. Raporti do të diskutohet në fillim të legjislaturës së re, me qëllim hartimin e ligjeve që synojnë reformimin e drejtësisë.

Për zgjatjen e mandatit të SPAK, Xhafaj deklaroi se nuk ka nevojë apo argument për ta bërë këtë. Përkundrazi, komisioni ka propozuar ngritjen e një komisioni të përhershëm parlamentar vendimmarrës që do mbikëqyrë veprimtarinë e drejtësisë së re.

Kjo ndërhyrje, sipas Xhafajt, është e domosdoshme për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Por në fakt, ajo që pritet është tërheqja e frenave ndaj SPAK dhe rikthimi i kontrollit politik mbi drejtësinë. Nëse SPAK ka shkelur ligjin, edhe kjo është pjesë e problemit, siç është rasti i vëllait të Xhafajt, i hequr nga lista e OFL-së dhe pasuritë e familjarëve të tij që nuk janë hetuar.

Kësisoj, me një raport luksoz dhe një axhendë të koduar, mazhoranca po përgatit terrenin për të mbyllur një kapitull dhe për të shkruar një tjetër, me një drejtësi të riformatuar sipas nevojave të pushtetit. SPAK është kthyer në objektiv, dhe goditja po maskohet me fjalë si “riformë”, “ristrukturim” dhe “efikasitet”. Ndërkohë, heshtja e institucioneve të tjera mbetet shqetësimi më i madh.