Rrëfehet për herë të parë polici nga Fieri që shpëtoi katër jetë në aksidentin automobilistik

Klaidi Mustaj, 26 vjeç, efektiv policie nga Fieri, është kthyer në “heroin e ditës” pasi mbrëmjen e kaluar rrezikoi jetën për të shpëtuar katër persona nga një automjet tip “Benz” që u përmbys në Qafën e Koshovicës.

Sipas dëshmitarëve, makina doli nga rruga pasi drejtuesi humbi kontrollin, duke përfunduar e përmbysur. Mustaj, i cili më parë ka punuar si jurist në Bashkinë e Mallakastrës, nuk hezitoi asnjë sekondë. Ai u hodh menjëherë në vendin e ngjarjes, duke nxjerrë një e nga një pasagjerët, ndërsa automjeti mori flakë vetëm pak çaste më vonë.

“Veprova instinktivisht. Shihja njerëzit brenda dhe e dija se çdo sekondë vlente. Nuk mendoja për rrezikun”, rrëfeu polici. Ai shtoi se, megjithëse aty ndodheshin rreth 30 persona, askush tjetër nuk ndërhyri për t’i ndihmuar.

Pas ngjarjes, Mustaj ka marrë dhjetëra mesazhe falënderimi nga qytetarë të thjeshtë, ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve. “Nëse do të ndodhte sërish, do të veproja po njësoj,” tha ai, duke apeluar për respektimin e rregullave të qarkullimit për të shmangur tragjeditë.