Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se dokumentet për një marrëveshje mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara mund të nënshkruhen që javën e ardhshme, nëse palët arrijnë dakordësinë përfundimtare brenda kësaj periudhe.
Zelensky tha se marrëveshja mund të miratohet në Davos të Zvicrës, ku pritet të mblidhen liderë ndërkombëtarë në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, mes tyre edhe Donald Trump.
Sipas tij, një delegacion ukrainas do të udhëtojë drejt SHBA-së për bisedime që lidhen me garancitë e sigurisë dhe një paketë prosperiteti për Ukrainën. Kievi synon gjithashtu të marrë qartësi nga Uashingtoni mbi qëndrimin e Rusisë në raport me negociatat.
Presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij ka nevojë për garanci sigurie afatgjata, të cilat të mos varen nga mandati i një presidenti të vetëm amerikan.
Zelensky akuzoi Rusinë për pengimin e përpjekjeve për paqe, duke shtuar se ultimatumat nuk janë mënyrë për të zhvilluar diplomaci dhe për të arritur një zgjidhje reale të konfliktit.