Familjarët e Labinot Rexhës kanë reaguar publikisht nga llogaria e tij zyrtare, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si po trajtohet banori brenda shtëpisë.
Sipas tyre, ka një mospërputhje të dukshme mes kontributit të Labit në lojë dhe vlerësimit që ai po merr nga produksioni, shkruan Indeksonline.
Ata theksojnë se, ndonëse Labi ka qenë pjesë e shtëpisë prej dy muajsh, ka marrë vetëm një dron, ndërkohë që banorë të tjerë, me më pak kohë qëndrimi, janë favorizuar më shumë. “Për Labin janë gati mbi 20 drona, por nuk pranohen”, thuhet në reagim.
Familjarët rikujtojnë gjithashtu një moment nominimi, ku sipas tyre, Labi ishte ndër më të votuarit nga publiku, por emri i tij nuk u përmend qëllimisht, për të mos e nxjerrë të fortë dhe krenar në lojë.
Një tjetër pikë e fortë e reagimit lidhet me situatën e fundit ku në shtëpi u përfshi edhe daja i një banori tjetër, ndërsa Labit, sipas familjarëve, iu mohua e drejta për të marrë pjesë në festë, edhe pse ai kishte shprehur se do të shkonte vetëm për respekt dhe përshëndetje.
“Qëllimi i vetëm është ta nxjerrin Labin keq”, shprehen ata, duke shtuar se publikut i shfaqen vetëm momentet negative të tij, ndërsa anashkalohen kontributet pozitive: energjia që ka sjellë në shtëpi, emocionet, debatet, gatimi, pastrimi dhe atmosfera që ka krijuar.
Në fund, familjarët ngrenë pyetjen nëse kjo qasje vjen nga frika e një fitoreje të mundshme të Labit apo nga preferencat e hapura për banorë të tjerë.
