Një incident i rëndë me armë zjarri dhe rrezikim serioz të jetës ka ndodhur më 31 janar 2026, në Prishtinë, kur dy grupe personash janë përfshirë në një përplasje të armatosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:20, në rrugën “Fahri Fazliu”, dhe përfundoi me të shtëna dhe goditje me veturë.
Në grupin e parë, janë të përfshirë A.T. dhe A.R. (i arratisur), ndërsa në grupin tjetër, L.R. dhe E.A. (po ashtu në arrati). L.R. dyshohet se ka shtënë me armë ndaj grupit të parë dhe është larguar në drejtim të rrugës “Kuvendi i Arbërit”. Më pas, A.R. ka kthyer zjarrin dhe është larguar me veturë BMW X6, që drejtohej nga A.T.
Sipas Sinjalit, situata është përshkallëzuar kur BMW X6 ka goditur L.R. dhe dy dëshmitarë, E.A. dhe E. Sh., duke i rrezikuar jetët e tyre. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, një fishek dhe një predhë, që do të shqyrtohen nga ekspertët balistikë.
Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka cilësuar veprat penale si “Vrasje në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. A.T. është ndaluar për 48 orë, ndërsa L.R. është në QKUK dhe do të intervistohet sapo gjendja e tij shëndetësore të lejojë. Dy të dyshuarit tjerë, A.R. dhe E.A., janë në arrati dhe po kërkohen nga Policia.