Një shpirt i bukur, një njeri me një buzëqeshje dhe forcë që rrallëherë i gjen te dikush tjetër, u largua sot nga kjo botë. Rezarta Reçi, një ndër gazetaret që i dha vlerë, zë dhe jetë gazetarisë shqiptare, nuk arriti të triumfonte në betejën e gjatë dhe të stërmundimtë me sëmundjen e rëndë.
Lajmi i kobshëm erdhi pasditen e kësaj të diele shkurti nga familjarët e saj, të cilët me zemrën e thyer bënë njoftimin që askush nuk do të donte kurrë ta bënte, Rezarta e tyre ndërroi jetë sot.
“Rrezarta jone u shua ne paqe mes njerezve te zemres dashurise, respektit e perkushtimit te miqve, te afermve e mjekeve qe i qendruan prane ne te gjithe sfiden e saj te viteve te fundit. Pritja do te behet prane Agjencise Funerale “Univers”, rruga “Bardhyl”, nga sonte ora 20:30 deri ne percjelljen per ne banesen e fundit, neser me date 2 Shkurt 2026, ora 15:00 Me respekt Familja Reçi”, thuhet në njoftimin e bërë nga familjarët e Rezartës.
Prej vitesh ajo po luftonte me kancerin. Betejën e saj e tregoi dhe para mijëra shqiptarëve, ku ajo guxoi që ta ndante këtë “luftë” me sëmundjen.

“Nuk doja të jetoja, nuk e konceptoja dot veten të sëmurë, me kimioterapi dhe në shtrat”, kishte treguar ajo, duke shtuar se ishte bashkëshorti i saj ai që e bindi të luftonte. “Mbaja derën hapur vajzës dhe mbesave… ‘po ike ti, do të iki dhe unë me ty’”, ishin fjalët që e bënë Rezartën të reflektonte dhe të niste betejën.
Me forcë dhe vullnet, ajo u rikthye edhe në radio, një dashuri që nuk e braktisi kurrë. Përmes zërit të saj, Rezarta përcolli mesazhe të forta sensibilizuese për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke u bërë shembull për shumë gra dhe vajza shqiptare.
“Si gazetare kam luftuar për diagnostikimin e hershëm. Si Rezartë, u dorëzova… por dashuria e familjes, miqve dhe përkushtimi i mjekëve më rikthyen në jetë”, kishte thënë ajo, duke falënderuar stafin e Spitalit Onkologjik dhe veten që zgjodhi të mos dorëzohej.
Por, fatkeqësisht ajo nuk arriti që ta mundte këtë “përbindësh”. Pavarësisht përpjekjeve, ndihmës së mjekëve, forcës që familjarët dhe miqtë e saj të shumtë i dhanë, Rezarta u shua përgjithmonë!