Një 38-vjeçar, i identifikuar si V.R., është dërguar në paraburgim pasi dyshohet se vrau bashkëshorten 27-vjeçare dhe vëllain e saj 31-vjeçar në Livoç të Ulët të Gjilanit. Djali i xhaxhait të bashkëshortes, 48 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe po trajtohet në QKUK.
Policia u njoftua të premten rreth orës 14:25, ndërsa i dyshuari u vetëdorëzua. Ai po hetohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Motivi mbetet i panjohur. Sipas Prokurorisë, ai nuk ka të kaluar kriminale dhe as raste të raportuara për dhunë në familje.
Në veturën e tij u sekuestrua një revole “Bereta” me leje të skaduar, që dyshohet se u përdor në vrasje. Gjatë bastisjeve u gjetën dy armë të gjata me leje të skaduara, një revole pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë dhe 1600 diabolla.
“Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”, theksoi Policia.
Presidentja Justina Shiroka Pula tha se e mori lajmin “me dhimbje të thellë” dhe shprehu “ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin”.
“Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes”, tha ajo, duke kërkuar hetim “me përkushtim të plotë, t’i zbardhin të gjitha rrethanat dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë”.
Kjo është gruaja e gjashtë e vrarë këtë vit në Kosovë. Sipas Policisë, nga viti 2010 deri në gusht të këtij viti janë vrarë 64 gra.