Reagimi i parë i Arbana Osmanit për protestat në Shqipëri është shoqëruar me kritika nga një pjesë e ndjekësve, të cilët e cilësuan të vonuar.
“Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh”, shkroi ajo në Instagram. Moderatorja shprehu shqetësim për dhunën ndaj të rinjve dhe dëmet në Tiranë, ndërsa iu drejtua Edi Ramës: “Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje”.
“Më mirë mos të kishe folur fare!” dhe “Po shumë herët reagove, o Bana”, ishin dy prej komenteve. Një koment që mori qindra pëlqime thoshte: “Fëmijët e tu janë gjeografikisht në Shqipëri sepse shërbimet i marrin ndryshe. Fëmijët e tu nuk kanë nevojë të zvarriten nëpër spitalet shtetërore”.
“E ke ngatërruar me suspancën e shpalljes së fituesit BBV, këtë reflektimin kaq të gjatë më duket!”, shkroi një komentues. “Sa shumë kohë të është dashur për ta kuptuar një realitet që e vuajnë e gjithë Shqipëria çdo ditë?”, pyeti një tjetër. Edhe influenceri Johny Dega komentoi: “Shumë herët u kujtove, marrë parasysh që populli shqiptar të bëri milionere”.
Pati edhe komente mbështetëse. Në momentin e dokumentimit të reagimeve, postimi numëronte mbi 8 mijë pëlqime dhe mbi 300 komente, ndërsa komentimi shfaqej i kufizuar. /Prive By LS

