Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se
familjet e të miturve të përfshirë në protesta të dhunshme do të paguajnë dëmet, nëse nuk përmbushin përgjegjësitë prindërore.
“Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund,” thekson Rama.
Për nxënësit dhe studentët që braktisin shkollën dhe përfshihen në dhunë ndaj policisë, ai paralajmëroi masa administrative e financiare, përfshirë mosdhënien e arsimit falas, bursave dhe mbështetjes shtetërore.
“Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët. Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh,” shprehet Rama.