“Nuk ka kompromis!”/ Ja çka kërkon presidentja urgjent për vrasjen e Arlindës dhe rolin e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen e gruas në Vitomiricë të Pejës, përfshirë trajtimin e kërkesave të viktimës për ndihmë dhe veprimet institucionale.

“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, ka theksuar ajo. “Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka shtuar presidentja.

“Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, thuhet në reagimin e saj.

Shiroka-Pula u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, duke përfunduar: “Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”.