“Siguroni ushqim, ujë dhe para për 72 orë”/ Njoftimi i BE-së që po tërheq vëmendje

Komisioni Evropian u rekomandon familjeve të mbajnë furnizime për të paktën 72 orë, në rast se ndërpriten shërbimet publike ose ndihma emergjente nuk arrin menjëherë.

Lista përfshin ujë të pijshëm, ushqime që nuk prishen shpejt, ilaçe, mjete të ndihmës së parë, radio me bateri, llambë dore dhe karikues portativ për telefonin. Këshillohet të mbahen edhe para të gatshme për shpenzimet bazë, në rast se bankomatet ose pagesat elektronike nuk funksionojnë.

Familjet këshillohen të vendosin paraprakisht si do të komunikojnë, ku do të takohen nëse ndahen dhe nga ku mund të evakuohen. Dokumentet dhe kontaktet e rëndësishme rekomandohet të ruhen edhe në letër.

Udhëzimet janë pjesë e strategjisë së BE-së për gatishmërinë ndaj krizave, të miratuar në mars 2025. Ato nuk janë të detyrueshme dhe nuk paralajmërojnë ndonjë krizë të afërt.