Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka vendosur t’i ulë mesatarisht me 7,51% çmimet me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me ato të 2 nëntorit.
Benzina Eurosuper BS-95 dhe BS-98 lirohen me nga 7 denarë për litër dhe do të kushtojnë përkatësisht 86 dhe 88 denarë. Dizeli zbret me 5,5 denarë, në 94,5 denarë për litër.
Vaji ekstra i lehtë për amvisëri lirohet me 6,5 denarë, në 103,5 denarë për litër. Mazuti zbret me 6,26 denarë, në 49,31 denarë për kilogram.
Ulja lidhet me rënien e çmimeve ndërkombëtare të derivateve, dobësimin e dollarit ndaj denarit dhe masat fiskale të qeverisë. Akciza është ulur me 2 denarë për litër për benzinën dhe me 4 denarë për dizelin, për të cilin zbatohet edhe TVSH-ja e reduktuar prej 10%.