Gjermania po shqyrton kalimin nga kufiri ditor në
një kufi javor për orët e punës. Sipas propozimit të Ministrisë së Punës, dita tetëorëshe do të mbetej norma bazë, ndërsa orët do të mund të shpërndaheshin më lirshëm gjatë javës. Regjistrimi elektronik i orarit do të bëhej i detyrueshëm.
Kancelari Friedrich Merz mbështet një orar më fleksibël, por partnerët e koalicionit ende nuk janë pajtuar për zbatimin e reformës. Punëdhënësit kërkojnë më shumë liri në organizimin e orarit, ndërsa sindikatat paralajmërojnë se ditët më të gjata të punës mund të shtojnë lodhjen dhe rrezikun e aksidenteve.
Sipas hulumtimeve të cituara në raportime, pas 12 orësh punë rreziku i aksidenteve në punë ose gjatë kthimit në shtëpi është rreth dyfish krahasuar me një ditë tetëorëshe.
Reforma mbetet në diskutim. Sipas ligjit në fuqi, dita e zakonshme e punës është tetë orë dhe mund të zgjatet deri në dhjetë orë, nëse respektohen kufizimet dhe periudhat e kompensimit që përcakton ligji.