Policia “zbarkon” në rrugët e Shkodrës/ Mbi 2 mijë gjoba në dy javë, 4 shoferë në pranga, çka po ndodhë

Policia Rrugore e Shkodrës ka vendosur 2.006 masa administrative gjatë kontrolleve të dy javëve të fundit në qark. Katër persona janë arrestuar dhe tetë të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Shumica e masave, 1.069, janë vendosur për parkim ose qëndrim të gabuar. Policia ka vendosur gjithashtu 478 masa për tejkalim të shpejtësisë, 48 për parakalime të gabuara dhe 15 për drejtim nën ndikimin e alkoolit.

Kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë qarkun, me fokus te shpejtësia, drejtimi pa leje ose nën ndikimin e alkoolit dhe manovrat e rrezikshme. Policia u bën thirrje qytetarëve të raportojnë shkeljet në numrin pa pagesë 112.