Një klient rreth 52 vjeç është gjetur i pajetë në motelin “Flamingo”, në Shupkovc të Mitrovicës së Jugut. Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, viktima është Ivica Vukasinoviq.
Rasti u raportua më 27 nëntor, rreth orës 14:25, nga recepsionisti. Pasi klienti nuk iu përgjigj telefonatave pas përfundimit të kohës së qëndrimit, ai e pa përmes dritares të shtrirë në dysheme, me fytyrë të mavijosur, dhe njoftoi Policinë. Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen në vendngjarje.
Sipas Sinjalit, Prokuroria ka kërkuar sigurimin e pamjeve të kamerave të motelit dhe verifikimin nëse ndonjë person tjetër ishte larguar nga dhoma.
Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.