Mohon akuzat për TARDHËTl, Naim Murseli përfundon dëshminë në Prokurori/ Ja çka ndodhi

Naim Murseli, i dyshuar si njeriu që urdhëroi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka përfunduar dëshminë e tij para Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sipas avokates së tij, Teuta Zhinipotoku, Murseli e ka mohuar versionin që e ka dhënë gjatë intervistimit në Polici. Sipas saj, Murseli ka mohuar edhe raportimet në media për raporte të tensionuara me bashkëshorten dhe aludimet për tradhti.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar. Me sot është kryer deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë , i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar në lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtejshme”, ka thënë Zhinipotoku për mediat kosovare.

Gjykata Themelore në Prishtinë po mban në paraburgim edhe Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të cilët dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares, ndërsa informacionet mbahen sekret. Sipas dosjeve të hetuesisë, dyshohet se vrasja ishte inskenuar.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.