Detaje TR0NDITËSE nga Prokuroria/ Zbulohet çka ndodhi para v’rasjes së Arlindës

Prokuroria Themelore në Pejë ka publikuar kronologjinë e veprimeve institucionale para vrasjes së Arlinda Zekajt, duke njoftuar edhe për hetime mbi veprimet apo mosveprimet e mundshme të zyrtarëve.

Sipas njoftimit, më 16 tetor gjykata kishte urdhëruar që ish-bashkëshorti ta lejonte Zekajn të kthehej në shtëpinë e përbashkët dhe kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor. Më 22 tetor, pas kërkesës së saj për zbatimin e vendimit dhe shqyrtimin e lëshimeve të pretenduara, kryeprokurorja kishte kërkuar veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse dhe kishte iniciuar rast për keqpërdorim të mundshëm të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria thotë se kthimi fillestar në shtëpi ishte vlerësuar i rrezikshëm, ndaj Zekaj kishte pranuar të qëndronte te vëllezërit. Për kthimin e planifikuar të nesërmen ishte vendosur që një patrullë të qëndronte pranë shtëpisë. Ndërkohë, më 23 tetor, ndaj ish-bashkëshortit J.S. ishte ngritur aktakuzë për kanosje në marrëdhënie familjare.

Më 25 tetor, pas një rasti të dyshuar dhune në familje, J.S. ishte ndaluar për 48 orë për mospërfillje të gjykatës. Sipas Prokurorisë, Zekajt i ishte ofruar strehim në strehimore, por ajo kishte kërkuar të kthehej në shtëpi, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj. Policia e kishte shoqëruar atje rreth orës 21:00.

Pak minuta më pas, prokurori ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë nga kunati, A.S., i dyshuar për vrasjen. Ai ende nuk është arrestuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe përgjegjësive eventuale.