Dokumenti i ri nga Haga/ Pse Prokuroria thotë se Hashim Thaçi nuk duhet të lirohet

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka kërkuar gjyqtarit Christopher Gosnell vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. Parashtresa e 16 nëntorit 2026 lidhet me shqyrtimin e dymbëdhjetë të kësaj mase.

Prokurorja Kimberly P. West argumenton se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje, pengim të procedurave dhe kryerje të veprave të tjera penale. Sipas saj, dënimi prej 25 vjetësh në procesin për krime lufte i ka përforcuar këto rreziqe.

“Për më tepër, THAÇI paraqet një mundësi mjaftueshëm reale për t’iu shmangur drejtësisë në rast se lirohet, pasi ai mund të ketë qasje në mjete të konsiderueshme financiare dhe mund të sigurojë lehtësisht mbështetje nga aleatët e tij, krahas mundësisë për t’u arratisur duke udhëtuar lirshëm drejt juridiksioneve që janë jashtë mundësive të kontrollit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në shkresë.

ZPS-ja pretendon se Thaçi kishte rol udhëheqës në përpjekjet për ndërhyrje te dëshmitarët, përfshirë dëshmitarë të mbrojtur, përmes personave që vazhdojnë të jenë të lirë në Kosovë. Prokuroria vlerëson se kushtet alternative të lirimit nuk do të siguronin monitorim efektiv të komunikimeve dhe parandalim të këtyre rreziqeve.

Kërkesa u dorëzua një ditë para 17 nëntorit, datës së caktuar për shpalljen e aktgjykimit në këtë çështje, e cila është e ndarë nga procesi për krime lufte.