Dosja e SPAK/ Gysi-Vlora, një “dashuri” e blerë me miliona – Sekretet shtetërore te transfertat në Gjermani

SPAK regjistroi në fund të tetorit një procedim për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas dosjes së cituar nga Lapsi.al, prokuroria dyshon se ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, përfitoi të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes vëllezërve të saj në Gjermani. Paratë dyshohet se vinin nga tenderët e AKSHI-t dhe ishin shpërblim për informacione të shërbimit sekret.

Hetimi nisi nga një shënim dore i gjetur në kompaninë “E.A Tobacco” të Agasit, ku figuronte shuma prej 119 162 400 lekësh, rreth 1,2 milionë euro. Sipas SPAK-ut, “Sinteza Co” dhe “Albascan”, që kishin fituar një tender të AKSHI-t me vlerë rreth 18 milionë euro, ia transferuan të njëjtën shumë kompanisë së ndërtimit “Enklo Counstruction” për shërbime kompjuterike.

“Enklo Counstruction” i kaloi 420 mijë euro kompanisë “Fortis Beton” të Orest Sotës. Në mars 2024, “Fortis Beton” dërgoi dy pagesa nga 250 mijë euro te një kompani gjermane e lidhur me njërin nga vëllezërit e Hysenit. Pagesat figuronin për projektimin e një qendre tregtare në Tiranë që nuk u realizua. Një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh, e datës 27 shkurt 2024, drejt një firme të lidhur me Izet Dinglerin, vëllanë tjetër të Hysenit, u anulua.

Raportimi citon edhe biseda në Signal nga koha kur Agasi ishte në arrati, ku shfaqen shprehjet “o shpirt”, “o zemër”, “na kanë inat” dhe “do hakmerremi”. Në një prej mesazheve, Hyseni i shkruante: “Do përfundojmë keq, shpirt”.