EKSLUZIVE/ Babai i Endrit Azemit zbulon çfarë bëri i biri 2-3 javë para arrestimit

Xhemajl Azemi, babai i 20-vjeçarit Endrit Azemi nga Gjilani, i dyshuar për mashtrim me një fushatë për trajtimin e pretenduar të leukemisë, thotë se djali ka mashtruar edhe familjen. “Më mirë me pasë vdekë, se qeta që e ka bo”, tha ai për Tëvë1.

“Para 27-28 e kam pa. E kam pa që kish qenë shumë i dobët, i verdhë krejt. Thashë ‘çka ke?’. Tha ‘s’jam tu mujtë’ [..] Me 31-shin kam ardhë në shtëpia, çika tha ‘u nis për Turqi’. Çka ka? Tha ‘qet sëmundjen’. Edhe ka shku në Turqi. Sa ka ndejtë në Turqi s’e di. Prej Turqisë ishin kthy kishin ndejtë në Shkup”, tregoi ai.

“Qysh e di krejt shqiptaria, edhe ne të familjes e dimë”, tha Xhemajli, duke shtuar se djali “2-3 javë s’u sillë kah shpia”.

Ai tha se paratë do të kthehen dhe kërkoi falje: “I falënderoj të gjithë shqiptarët dhe u kërkoj falje në emër tim. Njëjtë si ata që janë të mashtruar, jemi edhe ne familja”.

Sipas Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Endriti dyshohet se prej 9 nëntorit “kishte sajuar një ngjarje të pa qenë”. Prokuroria thotë se verifikimet treguan se ai nuk vuante nga leukemia dhe se fondet e mbledhura, mbi 189 mijë euro, janë bllokuar. Gjykata Themelore e Gjilanit i ka caktuar një muaj paraburgim.