Artan Hoxha ka pretenduar se Belinda Balluku zotëron informacione që mund të komprometojnë Edi Ramën, duke përdorur në kuptim figurativ shprehjen “kufomë në frigorifer”.
“Ajo, ndryshe nga të tjerët, nuk ka qenë thjesht besnike ndaj kryeministrit dhe ka zbatuar direktivat e kryeministrit, por na paska kapur një kufomë diku dhe e ka futur në frigorifer”, është shprehur Hoxha.
“Dhe ajo kufoma që e mban, kufomë në thonjëza, që mban në frigorifer, është një sigurim jete për atë vetë, për ata që ajo përfaqëson, s’është vetëm, dhe është një kërcënim për kryeministrin”, ka deklaruar gazetari.
“Prandaj kryeministri është i detyruar, për sa kohë nuk e gjen dot ku është kufoma dhe ku është frigoriferi, është i detyruar të luajë… është një lloj tangoje tani”, ka vijuar ai.
“Zonja Balluku nuk është një politikane që ka ardhur nga FRESH e ka bredhur nëpër ato provincat e Shqipërisë për të mbledhur vota. Nuk është një politikane tipike race. Ka ardhur nga zyra e kryeministrit”, ka deklaruar Hoxha.
Ballukut iu komunikua më 28 tetor mbyllja e hetimeve për akuza që lidhen me tenderat, korrupsionin, pastrimin e parave dhe deklarimin e pasurisë. Deri tani nuk janë bërë publike prova që vërtetojnë pretendimin se ajo po ushtron shantazh ndaj Ramës.