Elton Tozaj ka pretenduar në “Radar” se Fero u hoq nga lista e konkurrentëve të “Big Brother VIP Kosova 5” pas ankesave për pjesëmarrjen e tij dhe reagimeve pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
“Në minutë të fundit, BBVK ka larguar Feron si lojtar. Fero është larguar si lojtar për shkak të ankesave të mëdha që ka pasur”, është shprehur gazetari.
“Duke pasur parasysh edhe disa histori që Fero ka pasur me dhunën, duke pasur parasysh edhe situatën e vështirë që ishte Kosova, me vrasjen që ndodhi këto ditë, shumë njerëz, përfshirë edhe ish-bashkëshorten e Feros, Arbenitën, kërkonin që Fero të mos futej, pra të mos ishte pjesë e Big Brother VIP Kosova, duke e justifikuar me pjesën që është i dhunshëm”, ka deklaruar Tozaj.
Fero nuk ishte mes 21 konkurrentëve të prezantuar më 30 tetor. Nuk është konfirmuar nëse kishte marrëveshje me produksionin apo nëse pjesëmarrja iu anulua në momentet e fundit. Procedurat dhe akuzat penale ndaj tij nuk përbëjnë vendim përfundimtar fajësie.