Kthesë në procesin ndaj Thaçit: Publikohet vendimi i Gjykatës për dëshminë

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar për zhvillimet në dy çështjet ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve: atë për krime lufte dhe atë për ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve.

“Më 19 tetor u bë i disponueshëm versioni i redaktuar publik i një vendimi të lëshuar në tetor 2025 në çështjen për krime lufte Thaçi dhe të tjerët. Në këtë vendim Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit për të pranuar deklaratën e një dëshmitari vetëm si provë me shkrim.

Trupi Gjykues konstatoi se deklarata e dëshmitarit përfshinte dëshmi për sjelljen e drejtpërdrejtë të disa të akuzuarve dhe për besueshmërinë e dëshmitarëve të mëparshëm, dhe se, për të siguruar drejtësinë e procesit dhe për të shmangur dëmin ndaj palëve, ishte e rëndësishme që dëshmitari të ishte i disponueshëm për pyetje nga pala kundërshtare.

Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi Mbrojtjen e Thaçit të jepte informacionin e nevojshëm për paraqitjen e dëshmitarit në gjykatë në vend të pranimit të dëshmisë me shkrim.

Në lidhje me shqiptimin e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve, që është caktuar të mbahet më 17 nëntor, dëshiroj t’u kujtoj mediave dhe publikut se afati i regjistrimit për të ndjekur seancën e shqiptimit nga galeria e publikut në Hagë është javën që vjen, më 27 tetor, në orën 16:00 pasdite.

Dëshiroj të theksoj se vetëm personat që marrin konfirmimin me postë elektronike mund ta ndjekin seancën nga galeria për publikun. Konfirmimet do të dërgohen rreth dy javë para seancës. Seanca mund të ndiqet edhe përmes faqes së internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial për dëshmitarë të Prokurorisë dhe tentoi bashkë me ta të ndikonte në dëshmitë e tyre. Gjykimi për këtë çështje nisi më 27 shkurt 2026, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 10 deri më 14 shtator.