Rina Mujku zbulon çfarë përmendet në dosjen e Hagës për Behajdin Allaqin: Prokuroria përdori fjalën “gjakmarrje”

Gazetarja Rina Mujku, ka deklaruar në emisionin Rubikon, se dëshmitë e plota të gjithë procesit në Hagë nuk pret që të bëhen publike aq më pak, në aktgjykimin e plotë të katërshes së UÇK-së, i cili u dha të mërkurën e 16 shtatorit.

Mujku, u ndal edhe te personat që, sipas saj, kanë pasur njohuri për rastin e Behajdin Allaqit, rastit të vetëm që gjatë gjykimit ishte i mbyllur, por në aktgjykim u përmend me emër e mbiemër.

Mujku, sipas dëshmive ishte thënë se në mbledhjet e LPK-së ka pasur persona që kanë dëshmuar për një armiqësi të supozuar mes Behajdin Allaqit, Azem Sylës dhe Hashim Thaçit, por theksoi se ka pasur edhe dëshmi të tjera rrethanore që paraqesin versione të ndryshme për motivet e mundshme.

“Ka pasur dëshmitarë dhe dëshmi të tjera, po ashtu rrethanore, sikurse këto, se edhe këto kanë qenë thashetheme se Allaqi mund të ketë pasur edhe probleme të mëhershme me dikë tjetër që nuk lidhen aspak me luftën”, tha Mujku në Rubikon.

Sipas Mujkut, në materialet e prokurorisë është përdorur shprehimisht edhe termi “gjakmarrje”, si një prej pretendimeve që lidhen me rrethanat e rastit.

Ajo tha se mbrojtja kishte ngritur mundësinë që Allaqi mund të kishte pasur probleme të mëhershme, që nuk kanë lidhje me luftën, dhe se kjo çështje duhej të trajtohej në procesin gjyqësor.

“Prokuroria e përmend decidivisht fjalën ‘gjakmarrje’. Prokuroria pastaj, për pretendimin e mbrojtjes se mund të ketë pasur diçka të tillë dhe është dashur që të trajtohet në proces gjyqësor, deklaron se nuk vlejnë, nuk çojnë peshë dhe i kërkon Gjykatës që fare të mos merret me to”, u shpreh Mujku.