Policia e Fierit ka arrestuar këtë të martë Ardit Keron, ish-drejtor financiar në kompaninë “Bankers Petroleum Albania”, nën dyshimin për përfshirje në një skemë të përmasave të gjera të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.
Arrestimi, sipas Prapaskena.com është rezultat i një hetimi të gjatë nga Prokuroria e Fierit, e cila e identifikon Keron si një nga personat kyç në menaxhimin financiar të praktikave të dyshuara të paligjshme brenda kompanisë.
Sipas burimeve nga organet hetimore, Kero akuzohet se ka luajtur rol qendror në manipulimin e shpenzimeve dhe përdorimin e faturave fiktive, në mënyrë që të shmangeshin detyrimet tatimore të kompanisë. Hetimet paraprake vlerësojnë se përmes këtyre praktikave është dëmtuar ndjeshëm buxheti i shtetit, ndërkohë që të ardhurat e kompanisë nga shitja e naftës në zonën Patos-Marinzë arrijnë në rreth 4 miliardë euro në këto dy dekada.
Autoritetet dyshojnë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas është përdorur për investime në prona të paluajtshme dhe shpenzime luksi, brenda dhe jashtë vendit.
Në kuadër të këtij hetimi janë nën hetim edhe disa drejtues të tjerë të lartë të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, përfshirë aktualin Hongping Xiao dhe ish-drejtuesit Leonidha Çobo, Qing Fang, Xingyun Sun, Suneel Krishan Gupta, Jonathan Paul Harris, Chang Zhong Xu, Linaghong He dhe Feng Qin.
Hetimet janë në zhvillim dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të mëtejshme lidhur me këtë rast të ndjeshëm që ngre shqetësime për mënyrën e menaxhimit të pasurive natyrore dhe për zbatimin e ligjeve fiskale në Shqipëri.