Pretenduan se e vrau ariu/ Ja si u zbulua krimi i dyshuar i nënës dhe djalit në Bulqizë

Policia ka ndaluar bashkëshorten dhe djalin e Urim Fikut, 61 vjeç, në Godvi të Bulqizës, si të dyshuar për vrasjen e tij në bashkëpunim. Ata e kishin transportuar në spital, duke pretenduar se ishte sulmuar nga një ari.

Hetimet dhe ekspertiza mjekoligjore rrëzuan këtë version. Sipas raportimeve, viktima kishte një plagë plumbi dhe një plagë në kokë, të dyshuar si të shkaktuar me sëpatë.

“Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve: Sadete Fiku, 57 vjeçe dhe Gazmir Fiku, 33 vjeç, të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit Urim Fiku).

Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim”, bën me dije Policia.

Motivi i ngjarjes ende nuk dihet.