Mikrofoni i presidentit turk, Rexhep Tayip Erdogan, u ndërpre papritur gjatë fjalimit të tij në një konferencë të nivelit të lartë të OKB-së, duke shkaktuar polemika dhe reagime të ndryshme.
Ngjarja ndodhi në “Konferencën Ndërkombëtare për Gjetjen e një Zgjidhjeje për Çështjen Palestineze”, ku Erdogan po fliste ashpër kundër masakrës në Gaza, duke deklaruar se askush nuk duhet të heshtë përballë një “gjenocidi të tillë”.
Fillimisht, mediat turke dhe të pranishmit aluduan për një sabotim të qëllimshëm, por më vonë, Drejtoria e Komunikimit e Turqisë sqaroi se ndërprerja ishte procedurale dhe automatike.
Sipas rregullave të konferencës, krerët e shteteve kishin vetëm 5 minuta kohë për fjalim, e cila në rastin e Erdoganit u tejkalua për shkak të ndërprerjeve me duartrokitje.
I njëjti incident i ndodhi edhe presidentit të Indonezisë, duke konfirmuar se bëhej fjalë për një rregull procedural dhe jo për një veprim të qëllimshëm, siç u mendua fillimisht.