Arbana Osmani ka qenë për më shumë se një dekadë një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar, e lidhur ngushtë me Big Brother Albania.
Por, dy vite më parë, moderatorja u largua papritur jo vetëm nga spektakli, por edhe nga Top Channel, duke habitur publikun dhe duke ngritur dyshime për një përplasje me drejtuesit e televizionit – një zë që megjithatë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pas një viti pauzë nga ekrani, Arbana u rikthye me një projekt personal në YouTube, “Mirëmbrëma Yje”, i cili u prit ngrohtësisht nga ndjekësit. Programi do të vijojë edhe këtë vit, dhe pritet të nisë së shpejti transmetimin.
Në një pyetësor të hapur me ndjekësit e saj në Instagram, Arbana ndau disa detaje për sezonin e ri, por edhe disa mesazhe që u lexuan si thumba ndaj Top Channel dhe Big Brother, veçanërisht për mënyrën se si sot funksionojnë reality show-t.
Një ndjekës e pyeti: “Do të të shohim në ndonjë reality show në ndonjë TV?” Arbana u përgjigj:
“Çdo vit vijnë ftesa për të drejtuar reality show me idenë për të sjellë diçka ‘ngjitëse’ si Big Brother dikur. Problemi është që tani nuk vendos më ‘produksioni i famshëm’, por algoritmet. Dhe këto të fundit kanë sjellë një kaos, duke bërë që nga ‘reality’ të mbetet pak ose aspak. Kjo është një dukuri që ka prekur të gjitha reality-t në botë, jo vetëm në Shqipëri. Jam kurioze të shoh si do t’i shkojë ‘Grande Fratello’ këtë vit, që rikthehet tek formula fillestare. Kam përshtypjen se reality-t janë në një fazë transformimi dhe gjithnjë e më shumë do funksionojnë si videogames. Madje, djali im Joni më tha një ditë: ‘Mami, pse nuk e bën një lojë si Roblox-i, por me Big Brother?’”

Kjo deklaratë e Arbanës është parë nga shumë si një mesazh i koduar ndaj Top Channel, i cili shpesh është akuzuar nga publiku për shtrembërim të situatave dhe skenarizim të ngjarjeve në “reality-t” e tij, për të rritur klikimet dhe shikueshmërinë.
Në një tjetër pyetje – “Pse vendose të vazhdosh me YouTube dhe jo me TV?” – moderatorja u përgjigj me humor:
“Sepse edhe duke qenë në YouTube, njerëzit vazhdojnë të zgjedhin të më shohin në TV :)”
Ajo shoqëroi përgjigjen me statistika të shikueshmërisë, ku mbi 50% e audiencës e ndiqte programin e saj përmes televizionit, edhe pse prodhohej për YouTube.
Ndërsa një pyetje tjetër – “Si ka mundësi që nuk të bie asnjëherë algoritmi? Je gjithmonë lart” – Arbana e ktheu në një reflektim mbi botën dixhitale:
“15 vite në Instagram, 1 vit në YouTube dhe kurrë s’kam postuar për algoritme. Gjithçka ka qenë vetëm ndjesi personale, shpesh të pa filtruara, në orare jo të përshtatshme për të kapur ‘reach-in’ maksimal. Nuk kam pasur (dhe s’kam) kureshtje për të parë insights e postimeve, përveç kur ma kërkojnë klientët me të cilët bashkëpunoj. Më tmerron ideja se algoritmet gjithnjë e më shumë po ndikojnë perceptimet dhe vendimet tona. Dua të besoj se njeriu është qenie – në mos më e zgjuar, pa dyshim më e ndjeshme se ato Unë ec me instinkt: nëse më pëlqen diçka e ndaj me publikun; nëse jo, e mbaj për vete, edhe sikur të më siguronte miliona shares.”
Me këto qëndrime, Arbana lë të kuptohet se zgjedh autenticitetin ndaj lojës së algoritmeve, një qëndrim që publiku e ka lexuar si një distancim të qartë nga mënyra se si funksionojnë sot reality show-t në televizionet shqiptare.