Dalin pamjet e forta: Provokim nga Greqia: Enver Hoxha është grek, ja shtëpia e lindjes dhe vendodhja!

Një “influencer” periferik shpik origjinën greke të Enver Hoxhës, në një përpjekje për të zbehur debatet mbi Çamërinë, Himarën dhe rrënjët shqiptare në Greqi…

Pretendimi i shpërndarë në rrjet nga një figurë pa peshë mediatike në Greqi, se Enver Hoxha ka lindur në Korinth me emër grek, nuk është një rast banal. Ai shfaqet në një moment kur raportimet investigative shqiptare mbi Çamërinë dhe identitetin e Himarës kanë tronditur qarqe nacionaliste greke. Narrativa absurde funksionon si bombë tymuese digjitale, për të relativizuar historinë dhe për të krijuar konfuzion mbi rrënjët shqiptare. Talljet e vetë banorëve vendas e rrëzojnë tezën, por përdorimi i saj tregon një strategji të njohur: kur faktet nuk ndalen dot, provohet manipulimi simbolik i figurave historike.

Restas Blasis, të paktën kështu prezantohet në rrjetet sociale, është një emër që nuk ka lidhje me mediat mainstream në Greqi. Ai prezantohet si një influencer social, por përmbajtja që sjell duket se fsheh diçka më shumë.

Athina, përkatësisht aparatet e saj, duket se janë tronditur nga konsistenca e medias shqiptare, veçanërisht nga gazetari Marin Mema, për raportimet e tij mbi identitetin shqiptar, kryesisht atë të popullsisë çame, si edhe nga “bomba” e kësaj jave mbi të vërtetat gjenetike të Himarës.

Për t’iu përgjigjur një teme që ka qenë popullore, me ndjekje shumë të madhe dhe që ka sjellë tronditje në mjediset “vorioepirote”, aparati i Megali Idhesë ka hedhur një bombë tymuese.

Blasis ka publikuar një video në rrjet, ku tregon një shtëpi në një fshat të Korinthit dhe pretendon se kjo është shtëpia ku ka lindur diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili, sipas tij, emrin e vërtetë e kishte Aleksandër Mavromaqis.

Influenceri tregon edhe një pllakë në një rrap aty pranë, si për të sugjeruar se ekziston një referencë historike, por tabela në fakt tregon vetëm se rrapi është monument natyror.

Ironia e kësaj bombe tymuese janë reagimet, të cilat nuk janë të pakta. Kryesisht janë komente nga grekë, madje edhe nga banorë të zonës ku i referohet influenceri.

“E vërtetë”, thotë njëri, “aty kemi edhe varrin e të parëve të Donald Trump-it”. Një tjetër thotë se është e vërtetë që Enveri ka qenë nga Korinthi, pasi babai i tij tallej me kushërinjtë dhe u thoshte se “ti je vjehrri i Hoxhës”.

Pronari i shtëpisë, që identifikohet me emrin Iro Papanikolau, thotë se Aleksandri, të cilit i referohet influenceri si Enver Hoxha, ka qenë vëllai i gjyshes së saj, Katerina. Ndërsa shtëpia ka qenë në pronësi të dajës së tyre, Leonidha. “Ajo shtëpi është e jona tani, por ne ruajmë gjithmonë gëzimin e fëmijërisë”, shprehet ajo.

Tallja vijon në komente, por herë pas here ka edhe reagime që përpiqen të mbrojnë tezën e influencerit, të cilave më pas banorë të zonës u përgjigjen me sarkazëm.

Megjithatë, e gjithë kjo nuk duket si një tezë e hedhur rastësisht. Përkundrazi, ngjan sikur kemi të bëjmë me një betejë digjitale që synon t’i kundërvihet ndërgjegjes shqiptare për të vërtetën e rrënjëve, kryesisht për popullsinë e dëbuar me dhunë nga Greqia dhe për atë që Athina e quan “Vorio Epir”.

Në shikim të parë, duket si një idiotësi, nga ato që prodhohen shpesh nga mitomanë ballkanikë, të cilët nuk mungojnë. Por kjo nuk ngjan me një fantazi bio-mitomane të zakonshme, që zakonisht janë argëtuese për shkak të hiperbolës së theksuar.

E sforcuar deri në absurditet, kjo narrativë ngjan më shumë me një manovër tipike shërbimesh, ku hidhet një gur në një lumë të kontrolluar dhe më pas lihet që të turbullohet nga qindra “të mençur”, pa u zbardhur kurrë.

Nuk është aspak çudi që nga ky “influencer”, apo nga të tjerë të ngjashëm, në ditët dhe javët që vijnë të shfaqen edhe “xhevahire” të tjera mbi “grekët që qeverisën Shqipërinë”.

Metafora ka një objektiv të qartë. Synon t’i kundërvihet historiografisë që Athina nuk e ndalon më dot, ku faktet po dalin përditë nga arkivat dhe tregojnë se Greqinë moderne e themeluan, e drejtuan dhe e ndërtuan shqiptarët që jetonin në ato treva.

Metafora me Enver Hoxhën duket e mirëmenduar, pasi në të kaluarën janë bërë tentativa të ngjashme edhe me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, të quajtur Jorgo. Por duket se e dinë mirë që me heroin kombëtar shqiptarët nuk pranojnë të luhet. Dhe ndoshta kundërpërgjigjet mund të mos jenë shumë “ortodokse”, siç thonë latinët./Pamfleti