Kapen me 91 kg d’rogë në furgon: Ndalohen dy të rinjtë në Kakavijë, ja emrat

Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare bazuar në analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të një furgoni rreth 88 pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.

Vihet në pranga drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja, bashkëshortë me njëri-tjetrin. U arrestuan shtetasit Klejdi Agalliu dhe Bukurije Agalliu për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.