Kardiologu Indrit Temali ka folur në “Opinion” për shkaqet e vdekjeve të papritura te të rinjtë, pas ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi në moshën 40-vjeçare.
“Fatkeqësisht vdekjet e papritura nuk prekin vetëm moshat e mëdhaja, por edhe të rejat. Ka disa shkaqe, lidhen me zemrën, muskulin e zemrës, trashja e mureve të zemrës, infeksionet, sëmundjet të ventrikulit (barkushja) të djathtë, janë anomali strukturore të zemrës”, tha ai.
“Disa janë gjenetikisht të përcaktuara. Ka lidhje edhe me stilin e jetësës, heteroskleroza në moshë të re është shtuar prej stilit të pashëndetshëm të jetesës, duhani, obeziteti, përdorimi i stimulantëve siç është kokainë që nxit aritmi të zemrës dhe mund të jetë fatale. Në moshë të re prevalojnë sëmundjet e lindura”, shtoi Temali.
Kardiologu theksoi rëndësinë e depistimit kardiovaskular dhe vlerësimit të shenjave të mundshme paralajmëruese.
“Vdekje e papritur mund të jetë e beftë, pa shenja fare. Në raste të tjera mund të ketë që të ketë pasur dhimbje gjoksi, rrahje të shpejta zemre apo rënie të fikëti e që nuk janë vlerësuar, sidomos kur nuk ka një shkak të identifikueshëm”, tha ai.