Meloni i flet ashpër Zelenskyt, ai kërkon falje/ Prapaskenat e telefonatës dhe pse u përmend Shqipëria

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka paralajmëruar Volodymyr Zelenskyn për rrezikun e zgjerimit të luftës në Mesdhe, pas sulmit ukrainas ndaj anijeve ruse në Bengazi. Sipas zyrës së saj, forcat ukrainase “shkelën sovranitetin e Libisë”, ndërsa operacioni “rrezikon zgjerimin e konfliktit në Mesdhe”.

Në telefonatën e 27 nëntorit, Zelensky pranoi se operacioni ishte kryer pa koordinim paraprak me partnerët evropianë. Sipas autoriteteve italiane, ai kërkoi falje për mungesën e njoftimit. Italia ritheksoi mbështetjen për Ukrainën, por kundërshtoi veprime që rrezikojnë sigurinë e saj dhe të rajonit.

Ukraina ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 22 nëntorit, duke deklaruar se dronët detarë fundosën korvetën ruse “Merkury” dhe goditën anijen “MV Angara”, e cila, sipas Kievit, përdorej për transport armësh.

Emri i Shqipërisë u përfshi pasi platforma Clash Report përhapi pretendimin se dronët ishin nisur nga territori shqiptar. Pretendimi u mbështet te një burim anonim dhe u përhap më pas edhe nga platforma të tjera.

Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e hodhën poshtë këtë version. Ato deklaruan se territori shqiptar nuk ishte përdorur dhe se Forcat e Armatosura nuk kishin marrë pjesë apo ofruar mbështetje për operacionin, duke theksuar mungesën e provave të verifikueshme për pretendimin.