Vrasja që tronditi Kosovën/ Çfarë u zbulua për praninë e policëve në çastet e fundit të Arlindës

Avokati Besnik Berisha ka ngritur dyshime për rolin e familjarëve në vrasjen e Arlinda Zekajt, duke pretenduar se ish-vjehrra e arrestuar nuk i kishte dhënë ndihmë pas sulmit.

“Dikujt mund t’i jetë dhimbsur një grua e moshuar në stacion, me duar të lidhura, por le ta dinë se ajo grua, me ftohtësinë e saj maksimale, ka thënë se nuk e ka vrarë. Ajo nuk e mori mundimin t’i afrohej nënës së nipit të saj, e la të shtrirë prapa derës, ku u ekzekutua barbarisht”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, arrestimi i ish-vjehrrës lidhet edhe me veprime të dyshuara përpara krimit. Avokati foli gjithashtu për kohën mes largimit të viktimës nga policia dhe sulmit ndaj saj.

“Arlinda ishte ekzekutuar vetëm 20 sekonda pasi ishte ndarë nga policia. As një minutë nuk kishte kaluar, sapo kishte hyrë në derën e shtëpisë, kur u ekzekutua në mënyrën më tinëzare dhe më të tmerrshme, me sopatë, para syve të nënës së saj, e cila ishte dëshmitare e kësaj ngjarjeje tragjike”, u shpreh ai.

Berisha hodhi dyshime se vrasja mund të jetë kryer me porosi të ish-bashkëshortit të Arlindës, i cili ndodhej në burg në kohën e ngjarjes.