Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit, vrasja e nëntorit 2023 ishte planifikuar paraprakisht dhe u krye në prani të dy fëmijëve të viktimës.
“Naim Murseli e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata mori parasysh edhe sjelljen e të dënuarve pas krimit:
“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në vendim.
Apeli refuzoi kërkesën për burgim të përjetshëm ndaj Kokallës, duke arsyetuar se ai ishte dënuar për ndihmë në kryerjen e krimit dhe se legjislacioni parasheh dënim më të butë për ndihmësit sesa për kryerësit e drejtpërdrejtë.
Dënimet ishin shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 prill 2026.