E kishte vetëm pak metra larg, por s’mundi ta përqafonte/ Rrëfimi i vëllait të Jakup Krasniqit përlot Kosovën

Daut Krasniqi, vëllai 87-vjeçar i Jakup Krasniqit, ka treguar për KosovaPress se prej tri ditësh pret ta takojë të vëllain në Velani të Prishtinës, por e ka parë vetëm nga larg. Ai tha se ishte larguar pasi i ishte thënë se përpjekja për takim mund ta rrezikonte vizitën.

“Për këto forca dhe të mos mundesh me u takuar me vëllezër, as me askënd, këtë nuk e kemi pritur.Unë shkova, i thanë vajzës që po vjen baca atje. Unë shkova dhe tha: ‘Po thonë që veç po prishet vizita’. I thashë: ‘Jo, unë për ta prish vizitën nuk vij’, edhe u ktheva.A ka në botë dikund që të vijnë të huajt, të hyjnë në shtëpinë tënde, e policia jote të rrijë jashtë e të mos hyjë me ta? Një orë ka pritur kur kanë ardhur pardje me kerr, edhe janë hyrë e kanë kontrolluar shtëpinë pa tanët (Policinë e Kosovës)”, ka thënë ai.

Duke kritikuar procesin gjyqësor në Hagë, Daut Krasniqi është shprehur:

“Drejtësia e Evropës, po çfarë drejtësie ka Evropa? Për mua jo, sepse me u paguar gjykata për t’i dënuar çlirimtarët tanë, kjo nuk është drejtësi e Evropës. E kujt është, le ta dinë, e Rusisë dhe e Serbisë.Këta nuk kanë qenë ushtri e rregullt, këta kanë qenë vullnetarë. Kush ka mundur të hyjë, ka hyrë”, ka thënë ai.

Ai ka kujtuar emocionet kur e kishte parë për herë të parë të vëllain me uniformën e UÇK-së.

“Unë kam qenë në Zvicër kur ka dalë për herë të parë. E kam parë, ymri më është rritur kur e kam parë me uniformë. A ka gjë më të mirë sesa me dalë me mbrojtur vendin tënd? Unë nuk e di çka ka më mirë në jetë, por ja se si erdhi puna.Më patriotë tash kemi në Qeveri sesa ata që e kanë hequr shkau prej këtu. Tash, cilët janë më patriotë, ai që e ka hequr apo ti që po e mbron?”, ka shtuar Krasniqi.

Dauti ka rrëfyer edhe se i kishte propozuar Jakupit të largohej për në Zvicër, por ai kishte refuzuar.

“Pa u nda kurrë, veç kur na ka ndarë që është shkuar në burg, ama për këtë s’e kemi pritur. Dy herë në jetën time i kam thënë: kur ka hyrë për herë të parë, i kam thënë: ‘A e di ku je hyrë?’. Më tha: ‘Hajt, mos ki gajle’. Edhe shkoi në burg. Kur doli prej burgut, nuk i linin vend askund, e rrihnin përditë. Edhe i thashë: ‘Çohu more, dil në Zvicër’. Më tha: ‘Po të kisha dashur të ikja, unë kisha ikur në vitin 1981, por sa të jem gjallë, Kosovën nuk e lëshoj’. E tash e lëshoj prapë”, ka thënë ai.

Duke folur për afërsinë mes tyre, ai ka kujtuar një takim gjatë burgosjes së të vëllait.

“Me Jakupin kam qenë i pandarë, vallahi, po çka ke me ba. Jemi kanë tetë vëllezër, por me të dashnia ka qenë tjetër. Dhimbja e të gjithëve është e njëjtë, por dashnia tjetër… Disa ditë kur ka qenë në burg, kam shku. Një dritare e vogël, në hekura, krejt me tela. Thashë t’ia prek gishtin, ai e çoi dorën, grushtin. Polici nuk bëri zë, kurgjë”, ka theksuar ai.

Për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Daut Krasniqi ka përcjellë këtë mesazh: “Veç le ta bahen të fortë, e le ta dinë se çfarë populli kishit pas, e s’kishit pas për kon me luftu”.

Jakup Krasniqi ndodhet në Kosovë që nga 18 nëntori 2026, pasi Dhomat e Specializuara i lejuan një vizitë të përkohshme për arsye humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes, Sevdije Krasniqi. Sipas raportimeve, vizita zgjat katër ditë; gjatë ditës ai qëndron me familjen, ndërsa natën kthehet në objektet e EULEX-it.