Kurti i bën thirrjen e papritur Zelenskyt: Ky vendim për Kosovën do ta godiste fort Putinin

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky njohjen e Kosovës, përmes një editoriali në *Kyiv Post*, me titullin “Ukraina duhet ta njohë Kosovën”.

Kurti kujton mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, strehimin e gazetarëve ukrainas dhe ndihmën ushtarake. Ai kritikon afrimin e Zelenskyt me Serbinë, e cila vazhdon të mos vendosë sanksione ndaj Moskës.

Në editorial, Kurti kundërshton përdorimin e Kosovës si precedent nga Vladimir Putini, i cili pas aneksimit të Krimesë kishte deklaruar: “Partnerët tanë perëndimorë e krijuan vetë precedentin e Kosovës – në një situatë shumë të ngjashme, siç e pranuan edhe vetë – dhe më pas bërtitën e u ankuan kur banorët e Krimesë shfrytëzuan të njëjtën të drejtë”.

Kurti argumenton se pavarësia e Kosovës erdhi pas luftës, administrimit ndërkombëtar dhe negociatave shumëvjeçare. Ai përmend edhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.

“Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thoshte t’ia demaskonte Putinit bllofin. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur raste të ndryshme në një argument të vetëm, të përshtatshëm për interesat e tij.”, shkruan Kurti.

Sipas tij, njohja duhet të vijë si mbështetje për “një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk privohen nga e ardhmja e tyre prej vendeve më të mëdha”.