Marta Kos jep lajmin e madh për Shqipërinë/ Ja kur pritet të mbyllen negociatat me BE-në

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi më 4 nëntor raportet e progresit, duke folur për integrimin gradual dhe përparimin e vendeve kandidate.

“Do të nisim një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate. Sot jemi në kushtet që mund të zgjerojmë Unionin. Vendi i parë që është në rrugën drejt integrimit është Mali i Zi. Vendet kandidate duam që të jenë ne nivelin e duhur, për të qenë gati për integrimin. Mali i Zi do të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2028”, tha Kos.

Për Shqipërinë, ajo theksoi mundësinë e mbylljes së kapitujve deri në vitin 2027 dhe nevojën për vijimin e reformave.

“Sa i përket Shqipërisë, ritmi i reformave ka ecur. Janë bërë përparime në disa fusha. Vendi mbylli katër kapituj. Po punohet për të mbyllur edhe kapitujt e tjerë. Shqipëria mund të arrijë objektivin për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027. Liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten prioritetet kryesore, sikundër edhe mjedisi”, tha komisionerja.

Për vendet e tjera, Kos deklaroi:

“Moldavia ka një qeveri pro-europiane sot. Qeveria ka ecur në rrugën drejt integrimit, pavarësisht se ka pasur përpjekje për të destabilizuar vendin. Ka shumë punë për të bërë, gjithsesi. Moldavia mund të mbyllë kapitujt në fund të vitit 2028, nëse vijon me reformat. Për Ukrainën, nuk ka vend tjetër që po bën më shumë se ky shtet, edhe pse ndodhet në luftë. Vazhdoni që të bëni hapa drejt Bashkimit Europian, pavarësisht se keni një rrugë të vështirë. Ukraina ka demonstruar se institucionet e saj antikorrupsion po funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe efektive. Ukraina duhet të përqendrohet në disa reforma, që kanë të bëjnë me pavarësinë e drejtësisë . IBAR për Ukrainën mund të arrihet, nëse ka vullnet për përparim nga ky vend.

Maqedonia e Veriut duhet të tregojë rezultate edhe më tej. Shkupi duhet të bëjë ndryshime kushtetuese. Vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën europiane. Gjithçka varet nga ajo që bën Maqedonia e Veriut. Bosnja dhe Herzegovina po rrit angazhimin e saj në rrugën drejt BE-së, problem është rritja e retorikës anti-BE, Bosnja duhet që të vazhdojë punën me reforma”, deklaroi komisionerja Kos.