“Nuk dua që vitet e fundit të më kalojnë pa të përqafuar”/ Vëllai i Jakup Krasniqit shpërthen në lot

Daut Krasniqi, 87 vjeç, ka rrëfyer në “Fiks Fare” mallin për të vëllain, Jakup Krasniqin, të cilin nuk arriti ta takonte gjatë vizitës në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes.

“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje”.

“Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt!”

Dauti u tërhoq nga përpjekja për takim pasi mbesa e njoftoi se kjo mund ta rrezikonte vazhdimin e vizitës së babait të saj.

“Kur isha te porta, përfytyrova flokët e tu, fytyrën dhe zanin që dikur më thërriste. Deshta veç me të kapë për qafe e me të thanë: ‘Qysh je, bre vëlla?’. Por u largova, me zemrën copë.

Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe. Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën ,nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim”, tha ai.

Mesazhin për të vëllain e mbylli me fjalët: “Unë kam me të pritë, vëlla edhe pse jam 87 vjeç”.